Tuesday, January 31, 2012

GJUHA E TRUPIT DHE KOMUNIKIMI JOVERBAL



Mund t’ju ketë ndodhur shpesh të bëni pyetje dhe të merrni përgjigje që nuk ju bindin. Përse? Madje mund të keni patur përshtypjen se i pyeturi nuk po thotë të vërtetën. Një nga arsyet kryesore është sepse përgjigjia verbale (me fjalë) që merrni nuk përputhet me disa veçori të sjelljes së personit që po pyesni. P.sh. nëse pyesni një fëmijë nëse ka marrë diçka pa leje dhe ai përgjigjet menjëherë “jo”, ndërsa fsheh duart pas shpine, mund të jeni i bindur se nuk po thotë të vërtetën. Në raste të tjera mund t’ju ketë ndodhur që të kuptoni se një i panjohur ndihet i interesuar për ju (p.sh. në një kafe apo restorant) pavarësisht se nuk keni shkëmbyer asnjë fjalë. Nga e merrni këtë informacion? Pikërisht përmes komunikimit joverbal dhe gjuhës së trupit. Ndryshe nga komunikimi verbal, komunikimi joverbal nuk ndërtohet përmes fjalëve. Përkundër idesë së përgjithshme, studimet vërtetojnë se komunikimi joverbal është shpesh shumë më i vlefshëm sesa ai verbal. Një nga arsyet kryesore lidhet me faktin se komunikimi verbal lidhet me pjesën e vetëdijshme të mendjes së njeriut, ndërsa komunikimi joverbal mund të shërbejë për të komunikuar qëndrimet apo ndjenjat tona që dalin drejtpërdrejt nga pavetëdija. Kjo është arsyeja përse të dashuruarit nganjëherë “kuptohen” më shumë me sy apo xheste sesa me fjalë. Kjo është arsyeja përse ne kuptojmë kur dikush na ka frikë ose nuk na pëlqen, pavarësisht se me fjalë mund të thotë të kundërtën. Në shumë raste, pikërisht sepse i shpëton vetëdijes, gjuha jonë e trupit mund të na “tradhtojë” duke u dhënë të tjerëve informacione që nuk do të donim t’ua jepnim. P.sh. në shumë stacione policie në SHBA policët përdorin analizën e gjuhës së trupit për të gjykuar nëse një i dyshuar thotë të vërtetën apo jo.
Mund ta fillojmë analizën tonë duke shikuar termin “komunikim joverbal”. Ai nënkupton në rradhë të parë një komunikim që zhvillohet pa fjalë ose mjete gjuhësore. Në vend të fjalëve, ky lloj komunikimi përdor shprehjet e fytyrës, qëndrimin dhe xhestet, shikimin, mënyrën sesi e kontrollojmë mjedisin tonë, mënyrën sesi vishemi, madje edhe elementë si tonin apo ritmin e zërit.

  1. VEÇORITE E KOMUNIKIMIT JOVERBAL
Për të kuptuar rolin e komunikimit joverbal mund të bëni një eksperiment të thjeshtë. Shikoni një film apo emision debati duke ia ulur zërin në minimum televizorit. Shumica prej nesh janë në gjendje të kuptojnë qëndrimet emocionale dhe ndjenjat e folësve pavarësisht se nuk dëgjojmë asnjë fjalë. Madje në raste të veçantë nëse njihni kontekstin e bisedës dhe personazhet mund të kuptohet edhe ndonjë pjesë nga përmbajtja e saj.
Në fakt është e pamundur për një njeri të mos e përdorë komunikimin joverbal.
Një skenarist i drejtohet producentit Sem Golduin: “Z.Golduin, po ju tregoja një skenar të jashtëzakonshëm. Por ndërkohë që pres mendimin tuaj vërej se ju ka zënë gjumi!” Golduini i përgjigjet: “Pse, a nuk ëshë edhe gjumi një lloj mendimi?”

Ajo që është e veçantë te komunikimi joverbal është fakti që ne u dërgojmë mesazhe të tjerëve edhe kundër vullnetit tonë. P.sh. ne skuqemi apo djersisim në mënyrë të pavullnetshme. Madje në shumë raste këto mesazhe janë në kundërshti të plotë me atë që themi me fjalë. Vetëm rreth një e katërta e njerëzve janë në gjendje të identifikojnë elementët e gjuhës së trupit që ata vetë përdorin në jetën e përditshme. Po aq i vogël është numri i atyre që “kapin” dhe analizojnë mesazhet e komunikimit joverbal që “lëshojnë” të tjerët. Por nëse aftësohemi për të njohur dhe përdorur gjuhën e trupit mund të kuptojmë më mirë qëndrimin dhe ndjenjat e të tjerëve. Madje në disa raste mund të qartësojmë edhe qëndrimin dhe ndjenjat tona ndaj të tjerëve.
Komunikimi joverbal e merr kuptimin e tij të plotë në kuadër të ndërveprimit me njerëzit që na rrethojnë. Një funksion i rëndësishëm i tij është menaxhimi i identitetit apo i imazhit tonë. Shpesh gjuha e trupit na e lehtëson punën duke kryer misione që fjalët nuk mund të marrin përsipër. Përfytyroni, p.sh. veten duke hyrë në një lokal të mbushur plot. Qëndrimi që merrni, lëvizjet dhe shikimet tuaja përcjellin mesazhe të qarta tek të tjerët duke u përpjekur të “shesin” imazhin tuaj. Përmes gjuhës së trupit ju mund të kuptoni madje cili prej të pranishmëve është i interesuar apo i tërhequr prej jush. Mendoni sikur në këtë proces, në vend të gjuhës së trupit të përdornit fjalët: “Mirëdita. Unë jam tip interesant, tërheqës dhe kam ardhur për të gjetur vajzën më të bukur në mesin tuaj!” Sipas të gjitha gjasave, fjalët nuk do të tregoheshin shumë efikase në këtë rast.
Komunikimi joverbal na mundëson gjithashtu të përkufizojmë më qartë marrëdhëniet që duam të ndërtojmë me të tjerët. P.sh. ne përdorim përshëndetje të ndryshme me persona të ndryshëm: me disa kufizohemi me një lëvizje koke, disa të tjerëve u buzëqeshim, ndërsa disa mund edhe t’i përqafojmë apo puthim.
Sidoqoftë duhet patur parasysh se komunikimi joverbal është shumë më i vlefshëm për të komunikuar ndjenjat apo qëndrimet tona sesa informacione. Megjithatë, në disa raste gjuha e trupit mund të jetë dykuptimëshe. 

Në fakt, ndryshe nga sa mund të kuptohet nga Fotoja 1, çifti po qan nga gëzimi sepse ka fituar 1 milion dollarë në një llotari. Gjatë interpretimit të gjuhës së trupit duhet t’i referohemi gjithmonë kontekstit të ndërveprimit ose ngjarjes.
Disa njerëz janë më të aftë sesa të tjerët për të kuptuar gjuhën e trupit. Në të vërtetë, ata që janë më të aftë për ta kuptuar këtë gjuhë, janë dhe më të aftë për ta përdorur atë. Për këtë arsye ekstrovertët (personat e hapur ndaj të tjerëve dhe që nuk fshehin vetveten) janë më të aftë se introvertët (personat e mbyllur që fshehin vetveten) për të kuptuar dhe përdorur gjuhën e trupit. Gjithashtu femrat janë përgjithësisht më të afta sesa meshkujt në fushën e komunikimit joverbal. Kjo vjen sepse, siç e kemi përmendur më herët, femrat janë më të ndjeshme ndaj ndjenjave të të tjerëve sesa meshkujt dhe komunikimi joverbal zbulon në rradhë të parë ndjenjat dhe qëndrimet e të tjerëve.
Komunikimi joverbal mund të përmirësohet përmes trajnimeve ose qoftë edhe përmes leximeve dhe ushtrimit autodidakt. Aftësitë e komunikimit joverbal janë shumë të rëndësishme. Në përgjithësi, komunikuesit e mirë joverbalë janë më tërheqës dhe më të suksesshëm sesa komunikuesit mesatarë qoftë në karrierë, qoftë në situata romantike.
Në tabelën e mëposhtme mund të shikoni disa dallime mes gjuhës verbale dhe gjuhës së trupit:

Tabela 1.

Dallimet kryesore mes komunikimit verbal dhe joverbal:
Kompeksiteti
Një përmasë (vetëm fjalë)
Shumë përmasa (kontakti me sy, qëndrimi, xhestet, zëri, distanca, etj).
Rredhja
I ndarë (fjalë pastaj qetësi, pastaj fjalë)
I vazhdueshëm (komunikimi joverbal nuk ndërpritet kurrë deri në momentin e ndarjes me personin tjetër)
Qartësia
Më e vështirë të keqinterpretohet
Më i lehtë për tu keqkuptuar (nganjëherë i dykuptimtë)
Impakti
Ka më pak impakt kur fjalët dhe gjuha e trupit kundërshtojnë njëra-tjetrën.
Ka më shumë impakt kur fjalët dhe gjuha e trupit kundërshtojnë njëra-tjetrën.
Qëllimshmëria
Zakonisht i qëllimshëm dhe i vetëdijshëm.
Shpesh i pavetëdijshëm.


  1. FAKTORET QE NDIKOJNE NE KOMUNIKIMIN JOVERBAL
Ekzistojnë disa elementë universalë të gjuhës së trupit. Studiuesi Paul Ekman ka identifikuar 6 shprehje themelore të fytyrës që janë pak a shumë të njëjta në të gjithë planetin: lumturi, trishtim, frikë, zemërim, neveri dhe befasi. Është vënë re madje se edhe fëmijë që kanë lindur të verbër përdorin shprehje të tilla të fytyrës.
Megjithatë shumë elementë të gjuhës së trupit ndryshojnë në varësi të faktorëve të ndryshëm. Më poshtë do të trajtojmë dy prej këtyre faktorëve kryesorë: kulturën dhe gjininë.

A. Kultura
Një nga kryebashkiakët më të famshëm të Nju Jorkut, Fiorello LaGuardia, fliste rrjedhshëm tri gjuhë të ndryshme: anglisht, italisht dhe jidish (një dialekt kryesor i gjuhës hebreje i ndikuar nga elementë gjuhësorë evropianë). Studiuesit vunë re se mund të kuptonin se në çfarë gjuhe po fliste LaGurdia pa e dëgjuar duke folur, por thjesht përmes analizës së gjuhës së trupit. Kjo vjen sepse çdo gjuhë verbale zakonisht është e lidhur me gjuhën joverbale të kulturës specifike.
Dallimet kulturore mund të shkaktojnë keqkuptime. Në SHBA shenja që bëhet me gishtin e madh lart dhe grushtin e mbledhur nënkupton “OK”, ndërsa e njëjta shenjë në Greqi dhe Turqi nënkupton një fyerje me natyrë seksuale, ndërkohë që në disa krahina të Francës dhe Belgjikës frankofone nënkupton “Ti je zero”.
E njëjta gjë mund të thuhet për distancën gjatë komunikimit. Një anglo-sakson zakonisht bisedon në një distancë të caktuar e cila për një aziatik është shumë e madhe, meqë këta të fundit janë mësuar të komunikojnë në distanca shumë të afërta. Por nëse për njërin një distancë mund të jetë e pranueshme, për tjetrin mund të përjetohet si bezdi apo agresion.
Një tjetër shembull është ai i kontaktit me sy. Në vendet perëndimore, kontakti me sy vlerësohet dhe është një element i rëndësishëm i komunikimi joverbal që dëshmon vëmendje dhe respekt, ndërsa në disa vende aziatike, apo në Amerikën Latine dhe madje edhe në disa zona të Evropës Veriore shikimi në sy konsiderohet si i papërshtatshëm dhe nganjëherë si mungesë respekti apo si kërcënim.
Vetë kufinjtë e komunikimit joverbal janë të ndryshëm në vende të ndryshme. Në vendet arabe komunikimi joverbal inkurajohet dhe plotëson fuqimisht bisedat verbale, ndërsa në vende si Japonia, ku shprehja e ndjenjave dhe emocioneve nuk konsiderohet e përshtatshme, komunikimi joverbal kufizohet në minimumin e mundshëm.

B. Gjinia
Disa nga dallimet midis femrave dhe meshkujve në komunikimin joverbal janë fiziologjike dhe të dukshme. P.sh. zëri i femrave ndryshon në vëllim dhe regjistër nga ai i meshkujve. Disa dallime të tjera janë psikologjike ose shoqërore. P.sh. femrat janë më të afta se meshkujt për të kuptuar dhe përdorur gjuhën e trupit. Disa studiues mendojnë se dallimet shoqërore mes femrave e meshkujve janë pasojë e marrëdhënieve të pushtetit në një shoqëri. Thënë ndryshe, femrat kanë zhvilluar aftësi më të larta komunikuese, sepse pozicioni i tyre përgjithësisht i nënshtruar ndaj meshkujve bën të nevojshëm mbrojtjen përmes komunikimit (p.sh. dallimin e ndjenjave negative ndaj tyre). Kjo do të thotë se paralelisht me pavarësimin dhe emancipimin, femrat mund të zvogëlojnë aftësitë e tyre në komunikimin joverbal. Ndoshta një tjetër faktor mund të jetë pozicioni shoqëror që u njeh femrave zakonisht rolin e përzgjedhëseve mes kandidatura mashkullore për një lidhje të mundshme.
Femrat përgjithësisht përdorin kontaktin me sy më tepër sesa meshkujt, kanë ton zëri më të ndryshueshëm gjatë bisedës dhe ndërveprojnë në distanca më të vogla sesa meshkujt (qoftë me meshkuj, qoftë me femra të tjera). Burrat zakonisht e mbajnë trupin të përkulur lehtë përpara më shpesh sesa femrat. Ata synojnë zotërimin e hapësirës së përbashkët dhe e arrijnë këtë më lehtë. Femrat priren të qëndrojnë përballë bashkëbiseduesit, ndërsa meshkujt priren të ruajnë një lloj këndi orientimi të trupit ndaj personit tjetër. Femrat përdorin më tepër shprehje të fytyrës dhe xheste në përgjithësi, por meshkujt përdorin më tepër xheste që synojnë “zotërimin” e hapësirës dhe bisedës.


  1. FUNKSIONET E KOMUNIKIMIT JOVERBAL
Zakonisht gjuha verbale dhe ajo joverbale shoqërojnë njëra-tjetrën. Por nëse komunikimi verbal mund të ndërpritet, komunikimi joverbal është i vazhdueshëm në çdo çast. Më poshtë do të shohim disa nga funksionet e komunikimit joverbal.

A. Mbivendosja.
Shpesh ne e përdorim komunikimin joverbal duke ia mbivendosur atë komunikimit verbal. P.sh. kur dikush na pyet për një adresë të caktuar, ne i tregojmë drejtimin me fjalë duke e shoqëruar edhe me xheste (p.sh. me orientimin përmes gishtit tregues në një drejtim të caktuar). Në raste të tjera, ne tundim kokën ndërsa themi “po” me fjalë.

B. Zëvendësimi
Nganjëhërë gjuha e trupit mund të zëvendësojë plotësisht gjuhën verbale. P.sh. nëse dikush na pyet për diçka që nuk e dimë mund t’i përgjigjemi duke ngritur supet lart ose duke mbledhur buzët në një mënyrë të caktuar.

C. Plotësimi
Kur komunikojmë me dikë përmes gjuhës verbale priremi që të përdorim gjuhën e trupit për të përforcuar apo plotësuar mesazhin tonë. P.sh. nëse i kërkojmë falje dikujt mund të ulim sytë në shenjë turpi apo nënshtrimi. Ose kur duam të inkurajojmë dikë, i shoqërojmë fjalët tona duke goditur lehtë personin tjetër me pëllëmbë në shpinë.

D. Theksimi ose nënvizimi
Nëse shikoni fjalimet e Hitlerit mund të vëreni sesi në momente të caktuara ai tund grushtin në mënyrë kërcënuese. Këngëtarët mund të hapin krahët në drejtim të publikut për të theksuar shprehjen e mirënjohjes për të. Në Shqipëri, Berisha tund gishtin përpara kur synon të theksojë një qëndrim radikal ndaj një personi apo dukurie, Rama nganjëherë godet tryezën me grusht për të nënvizuar vendosmërinë apo kundërshtinë e tij ndaj diçkaje, Fatos Nano lëviz cepin e buzës në një kënd të pjerrët për të theksuar çastet e kritikës apo sulmit në fjalimet e tij, Ngjela rrotullon gishtin tregues dhe e fikson për një çast duke e ngritur lart për të theksuar idenë e mbizotërimit të një ideje apo objekti mbi të tjerët.

E. Rregullimi i një ndërveprimi
Sillni ndërmend një debat televiziv me shumë pjesëmarrës. Në çastin kur bëhen gati të flasin, folësit zakonisht lëvizin trupin pak përpara dhe përpiqen të kapin shikimin e drejtuesit të emisionit, teksa mbajnë në rrezen e shikimit (me bisht të syrit) folësit e tjerë duke pritur të gjejnë çastin e duhur për të ndërhyrë. Në të kundërt, në përfundim të fjalës, folësit ulin intonacionin e zërit dhe zakonisht e lenë rrokjen e fundit të tingëllojë më dobët si një formë zbritjeje dhe largimi nga biseda. Për këtë arsye, gjatë bisedave të tilla, folësit që kanë ende për të folur shmangin pauzat mes fjalëve, flasin më rrjedhshëm e me zë më të lartë si dhe e mbajnë rrokjen e fundit të fjalisë në të njëjtin nivel intonacioni me rrokjet pararendëse.

F. Kundërvënia
Sikurse pamë më lart, gjuha e trupit mund të kundërshtojë atë që themi me fjalë. Pavarësisht se tingëllon paradoksale, në situata të ndryshme ne e përdorim komunikimin joverbal për të shprehur të kudnërtën e asaj që themi me fjalë. P.sh. nëse jemi duke dëgjuar dikë që flet për gjëra pa interes për ne, pavarësisht se i themi “Vërtet? Shumë interesante” në të njëjtën kohë shkëpusim shikimin dhe e drejtojmë në objekte që ndodhen rrotull nesh, luajmë me ndonjë objekt në tryezë apo na hapet goja nga gjumi. Të gjithë këta elementë joverbalë i japin tjetrit mesazhin se nuk kemi më dëshirë ta dëgjojmë. Në shumicën e rasteve, ne i përdorim këta elementë në mënyrë të pavetëdijshme apo të paqëllimshme.

G. Mashtrimi
Të kujtojmë se gjuha e trupit është drejtpërdrejt e lidhur me pavetëdijen tonë. Për këtë arsye, kjo gjuhë mund të na “tradhtojë” kur jemi duke gënjyer dikë, meqenëse ajo shpesh tregon të vërtetën për ndjenjat apo qëndrimet tona. Disa njerëz janë gënjyes më të mirë sesa shumica. P.sh. femrat, meqenëse ato, sikurse e pamë e zotërojnë më mirë komunikimin joverbal. Gjithashtu, personat që e vëzhgojnë veten më mirë janë më të aftë për të gënjyer pa u kuptuar sepse kontrollojnë deri diku me sukses gjuhën e tyre të trupit duke e penguar pavetëdijen e tyre të thotë “më kapni, po gënjej”.
Është përgjithësisht më e lehtë të kapësh gënjeshtarët kur i vëzhgon së jashtmi, sesa kur je duke biseduar me ta. Gjithashtu gënjeshtarët zbulohen më lehtë kur nuk kanë patur mundësi të përgatisin gënjeshtrën e tyre dhe aktrimin përkatës, si dhe kur gënjestra lidhet me ndonjë çështje për të cilën ata ndjehen fajtorë.
Ja disa situata kur është është më e lehtë apo më ë vështirë të zbulosh një gënjeshtar:

Tabela 2

Zbulimi i një gënjeshtari në varësi të situatës
Gënjeshtari zbulohet më lehtë kur
Gënjeshtari zbulohet më vështirë kur:
Synon të fshehë emocionet që ndjehen në atë çast.
Synon të fshehë informacione që nuk lidhen me emocionet e tij në atë çast.
Është emocionalisht i lidhur me faktin që po fsheh.
Nuk ka lidhje emocionale të forta me gënjeshtrën.
Nuk është i sigurtë nëse tjetri do ta besojë apo jo.
Ndihet i sigurtë kur gënjen (është i bindur se tjetri po e beson).
Ndihet fajtor për gënjeshtrën.
Ndjen më pak përgjegjësi për faktin që po gënjen.
Nuk i pëlqen të gënjejë.
I pëlqen të gënjejë.
Nuk ka shumë informacion paraprak për situatën ose gjendet i papërgatitur dhe i duhet të improvizojë.
Ka patur kohë për të përgatitur gënjeshtrën dhe e njeh mirë situatën.

Gënjeshtarët shpesh tradhtohen nga disa elementë të komunikimit të tyre joverbal. P.sh. zëri i tyre është më i hollë se zakonisht, shmangin kontaktin me sy, bëjnë më tepër gabime verbale kur flasin, nisin fjali dhe i ndërprejnë, ndryshojnë më shpesh qëndrimin e trupit të tyre. Fatkeqësisht librat për komunikimin joverbal nuk lexohen vetëm nga njerëzit e ndershëm, por edhe nga gënjeshtarët dhe kjo bën që edhe ata të përpiqen të kontrollojnë gjuhën e tyre të trupit. Disa gënjeshtarë janë të aftë të fshehin disa nga elementët, p.sh. mund të të shikojnë drejtpërdrejt në sy kur gënjejnë pa pikë problemi ose mund të mbajnë qëndrim të rregullt të trupit, etj.
Te njerëzit e zakonshëm aftësia për të zbuluar një gënjeshtar shkon nga 45 në 70%. Në sajë të trajnimeve kjo përqindje mund të shkojë akoma më lart, por megjithatë askush nuk është 100% i aftë për të zbuluar çdo gënjeshtar. Aftësia për të zbuluar gënjeshtarët rritet me kalimin e viteve. Paradoksalisht, kjo aftësi është më e ulët në një marrëdhënie intime. Një arsye mund të jetë mungesa e vullnetit për të zbuluar se tjetri po na gënjen dhe shmangia e zhgënjimit. Një tjetër faktor mund të jetë edhe fakti se në një marrëdhënie intime edhe gënjeshtari e njeh “viktimën” e tij më mirë dhe rrjedhimisht mund të jetë më i aftë për t’u përballur me të.
Aftësia për të zbuluar gënjeshtrat ka rëndësi të veçantë. Në aeroportet izraelite, që prej viteve ’70 analistë profesionistë vëzhgojnë dhe analizojnë komunikimin joverbal të pasagjerëve të ndryshëm për të zbuluar sjellje anormale. Kjo ka bërë (përveç të tjerash) që prej 30 vitesh aeroportet izraelite të mos vuajnë pasojat e akteve terroriste. Një metodë tipike e zbulimit të personave që fshehin diçka të jashtëligjshme është nxitja e situatave stresuese që i detyron ata të mos kontrollojnë plotësisht gjuhën e tyre të trupit. Zakonisht personat që fshehin diçka apo që gënjejnë priren të përdorin xheste apo lëvizje më të theksuara se ato të zakonshme. Funksioni i këtyre levizjeve është nxjerrja jashtë e stresit. Por në të njëjtën kohë, këto lëvizje u tregojnë specialistëve se ky person fsheh diçka që e streson.


  1. ELEMENTET E KOMUNIKIMIT JOVERBAL

A. Kontakti me sy.

Kontakti me sy është një nga elementët më të rëndësishëm të komunikimit joverbal. Psikologët japin arsye të ndryshme për këtë. Disa mendojnë se ne e fitojmë aftësinë për të komunikuar me sy që në fëmijëri kur si foshnje e përdorim shikimin për të siguruar vëmendjen e nënës. Disa të tjerë e lidhin rëndësinë e komunikimit me sy me nevojën që kemi për të kuptuar gjykimin e prindërve për veprimet tona (p.sh. një prind i cili me një shikim të vëngër i tregon fëmijës se po bën diçka të gabuar, apo me një shikim të ëmbël i siguron ndjenjën e dashurisë dhe përkujdesjes).
Herën e ardhshme që të gjendeni në një kafe vëzhgoni (pa rënë në sy) mënyrën sesi njerëzit përdorin shikimin e tyre. Do të vëreni se njerëzit nuk e shohin njeri-tjetrin gjithë kohën në sy, por me intervale të caktuara. Mund të vëreni gjithashtu se të dashuruarit shkëmbejnë shikime më të gjata dhe më intensive. Në përgjithësi klientët nuk shikojnë kamarierët. Disa individë mund të jenë duke shikuar objekte të ndryshme në lokal, ose ndonjë objekt që mbajnë në dorë dhe kjo tregon ose mungesë interesi ndaj personit tjetër të pranishëm, ose afërsi shumë të madhe që bën të panevojshëm komunikimin. Hyrja dhe dalja nga lokali tërheq vëmendjen e atyre që janë brenda. Ata që rrijnë përballë njeri-tjetrit kanë kontakt syri më intensiv sesa ata që ulen anash.
Përdorimi i shikimit ka rregullat e veta.
  • P.sh. nuk shikojmë pjesë të caktuara të trupit të bashkëbiseduesve tanë.
  • Shikimi i ngulur dhe i vazhdueshëm komunikon një ndjenjë superioriteti, nganjëherë mungesë respekti apo edhe kërcënimi.
  • Përkundrazi, mungesa e shikimit komunikon mungesë vëmendje, ndrojtje apo edhe pandershmëri apo përpjekje për të fshehur diçka.
  • Ulja e syve komunikon ndjenjën e nënshtrimit.

Një person mund të shikojë tjetrin më shumë ose më pak në varësi të situatës:
Dy njerëz përdorin shikim intensiv kur:
Dy njerëz përdorin shikim të reduktuar kur:
Janë relativisht larg
Kur janë relativisht pranë
Diskutojnë çështje impersonale
Diskutojnë çështje të vështira apo intime
Janë të interesuar për atë që thotë tjetri ose për reagimin e tij
Reagimi i tjetrit nuk ka rëndësi të veçantë.
Pëlqejnë tjetrin apo janë të dashuruar me të
Nuk janë të tërhequr nga tjetri.
Përpiqen të dominojnë tjetrin apo janë të varur prej tij
Tjetri ka status më të lartë.
Janë ekstrovertë
Janë introvertë

Ne e përdorim komunikimin me sy për arsye të ndryshme. Më poshtë po rendisim disa prej tyre:

Për të marrë informacion. Për shembull për të mësuar nëse tjetri po na thotë të vërtetën apo jo, për të njohur gjendjen shpirtërore të tjetrit, për të kuptuar nëse është i interesuar për ne, apo për të kuptuar si e percepton statusin tonë (më të ulët apo më të lartë se të vetes).

Për të treguar interes për tjetrin. Mbajtja e kontaktit të rregullt (por jo të ngulitur) me sy me një bashkëbisedues e nxit atë të flasë më shumë dhe me më tepër dëshirë. Në përfundim të të folurit njerëzit shmangin shikimin e tyre majtas ose djathtas si për të dhënë sinjalin se kanë përfunduar mesazhin e tyre.

Për të ftuar dikë për të komunikuar. Kjo është një metodë e përdorur nga të gjithë sidomos në mjedise joformale, p.sh. në një situatë flirti në një lokal. Kur përshëndesim dikë zakonisht ne hapim e mbyllim instiktivisht qepallat, njësoj sikur të donim të përshëndesnim tjetrin apo të shënonim praninë e tij. Kjo përshëndetje e qepallave është e pranishme në shumicën e kulturave dhe sidomos ato perëndimore.

Për të dominuar komunikimin. Shikimi i ngulitur dhe intensiv përdoret nga personat autoritarë për të dominuar tjetrin. Ky lloj shikimi është i zakonshëm në procese negociimi. Megjithatë në disa raste përdorimi i tij mund të shkaktojë reagim agresiv nga ana e bashkëbiseduesit.

Për të zbuluar qëndrimet. Përmes kontaktit me sy ne zbulojmë qëndrimet e të tjerëve ndaj nesh: interes, tërheqje, sulm, ndrojtje, etj. Ndrojtja, situatat e vështira, përpjekja për mashtrim dhe dhimbja shoqërohen nga shmangia e kontaktit me sy. Në situata nxitjeje psikologjike njerëzit priren të lëvizin sytë me shpejtësi për të skanuar gjithçka rrotull. Në situata frike, sytë duket sikur ngrijnë. Trishtimi shoqërohet me ulje të syve poshtë dhe me shmangie të kontaktit përmes syve.

Çfarë mund të na thonë bebëzat e syve?
Psikologët kanë zbuluar vitet e fundit dy aspekte interesante të komunikimit me sy. Së pari, kur ne shikojmë një objekt që na intereson bebëzat tona zmadhohen. Së dyti, ne priremi të pëlqejmë më tepër njerëzit me bebëza syri të zmadhuara.
Në një eksperiment, njerëzve iu treguan 5 foto të ndryshme: një fëmijë, një nënë me një fëmijë, një mashkull nudo, një femër nudo dhe një pamje nga natyra. Bebëzat e syve të meshkujve u zmadhuan gjatë shikimit të fotove të femrës nudo, ndërsa bebëzat e femrave u zmadhuan gjatë shikimit të fotos së nënës me fëmijën dhe më pak të fotos së mashkullit nudo.
Në një eksperiment tjetër, një grupi njerëzish iu treguan dy foto identike të së njëjtës femër prej të cilave ata duhet të zgjidhnin atë që u pëlqente më shumë. Shumica zgjodhën njërën prej dy fotove, por pa mundur të shpjegonin përse. Në fakt, psikologët kishin retushuar njërën foto duke trashur me fotomontazh bebëzat e syrit të njërës prej fotove identike. Të njëjtën gjë mund ta konstatoni nëse krahasoni dy vizatimet e mëposhtme në të cilët njërit i janë theksuar bebet e syrit. Shumica e njerëzve mendojnë se fytyra në të djathtë ka buzëqeshje më të ngrohtë dhe më të sinqertë.



B. Shprehjet e fytyrës
Kujtoni 6 shprehjet e fytyrës të përmendura më lart. Roli i tyre nuk është vetëm të përcjellin mesazhe që treogjnë diçka, por edhe të inkurajojnë një reagim të caktuar tek të tjerët. Bëni një eksperiment të tillë. Në ditët në vijim, për një javë rresht, buzëqeshini çdo personi të njohur që ndeshni paralelisht me përshëndetjen, njësoj sikur të donit t’u tregonit se jeni i kënaqur që po e shikoni. Madje përpiquni t’u buzëqeshni edhe personave të cilët zakonisht i përshëndesni thjesht me ndonjë shprehje të ftohtë apo formale. Mbani shënim çdo ditë reagimin e personave të tjerë duke e krahasuar me reagimet e tyre të mëparshme. Ja disa nga rezultatet më të mundshme të eksperimentit:
  • Shumica e njerëzve që u keni buzëqeshur gjatë përshëndetjes do t’ua kenë kthyer buzëqeshjen në të njëjtin stil.
  • Shumë nga bisedat që kanë pasuar përshëndetjen me buzëqeshje kanë qenë më të përzemërta dhe miqësore se zakonisht.
  • Njerëzit me të cilët keni marrëdhënie të vështira mund të jenë ndjerë të befasuar nga buzëqeshja juaj. Disa mund t’ua kenë kthyer buzëqeshjen dhe më pas janë treguar më të afërt, ndërsa disa të tjerë mund të kenë rezistuar duke menduar se pas saj fshihet diçka. Megjithatë asnjëri prej tyre nuk ka reaguar keq.
  • Takimet mund të kenë qenë më të gjata se zakonisht, meqenëse njerëzit priren të zgjasin përvojat e këndshme dhe të shkurtojnë ato të pakëndshme.
  • Nëse keni përshëndetur shpesh disa njerëz gjatë javës me buzëqeshje, mund të keni vënë re se marrëdhëniet tuaja me ta janë përmirësuar ndjeshëm.
  • Mund të keni parë gjithashtu se femrat reagojnë më shpejt dhe më mirë ndaj buzëqeshjes sesa meshkujt. E njëjta gjë vlen edhe për të rinjtë dhe për njerëzit me status shoqëror më afër statusit tuaj.
Fytyra dhe shprehjet që i japim asaj janë shumë të rëndësishme sidomos gjatë çastit të lënies së përshtypjes së parë. Në këtë çast ne nuk marrim thjesht një përshtypje të përgjithshme, por në mënyrë të pavetëdijshme e klasifikojmë tjetrin sipas kategorive të ndryshme: inteligjenca, personaliteti, aftësia, temperamenti, mundësia e të qenit një i/e dashur e/e mirë, etj. Të gjithë këto përfundime ne i arrijmë mbi bazën e një informacioni shumë të kufizuar. Nëse do të mbështeteshim vetëm te fjalët kjo do të ishte e pamundur.
Shprehjet e ndryshme të fytyrës mbështeten mbi zona të ndryshme të saj. Frika dhe trishtimi shprehen më tepër përmes syve. Lumturia përmes syve, gojës dhe mollëzave. Befasia përmes ballit, syve dhe gojës. Zemërimi përdor praktikisht të gjithë zonat e fytyrës për t’u shprehur plotësisht.
Studiuesit kanë arritur të zbulojnë se njerëzit shprehin relativisht qartë ndjenjat dhe emocionet e tyre përmes disa shprehjeve të fytyrës që zgjasin brenda hapësirës kohore të disa mikrosekondave. Shprehje të tillë shumë të shkurtra shfaqin sidomos qëndrimin tonë të vërtetë gjatë bisedave në të cilat ne mbajmë qëndrim hipokrit, p.sh. kur bëjmë sikur shprehim interes apo kënaqësi për diçka gjatë një bisede, në një moment të caktuar fytyra jonë merr një shprehje që tregon të vërtetën brenda disa të dhjetave të sekondit. Këto mikro-shprehje të së vërtetës janë të kapshme nga kamerat, por edhe nga vëzhguesit e aftë të gjuhës së trupit. Sikurse thamë femrat përdorin më shpesh të qeshurën gjatë komunikimit, por në shumë raste e bëjnë këtë më tepër për të fshehur mungesën e rehatisë gjatë bisedës, sesa për të treguar kënaqësi. Për këtë arsye, nëse duam t’i gjejmë kuptimin e vërtetë të qeshurës së një femre gjatë një bisede duhet të ballafaqojmë të qeshurën e saj me elementët e tjerë të komunikimit të saj joverbal.
Buzëqeshja është një nga mënyrat më të mira për të mashtruar dikë. P.sh. dikush që dëshiron të fshehë ndonjë ndjenjë negative (zemërim, zhgënjim, poshtërim) përpiqet ta bëjë këtë duke buzëqeshur. Gënjeshtarët në përgjithësi buzëqeshin më tepër sesa zakonisht. Stjuardesat e kompanive ajrore trajnohen për t’u buzëqeshur pasagjerëve në rast problemesh teknike gjatë fluturimit apo në rast turbulencash, me qëllim që t’i sigurojnë ata se çdo po shkon mirë.

C. Xhestet dhe lëvizjet e trupit
Praktikisht ne mund të komunikojmë me të gjithë trupin tonë. Mund të ulim shpatullat për të nënkuptuar se nuk dimë diçka që na pyetet, mund të kthejmë kokën nga ana tjetër e një personi për t’i lënë të kuptojë se nuk dëshirojmë të komunikojmë me të, mund të nxjerrim gjoksin përpara në shenjë mburrjeje (zakonisht për shaka) ose edhe për të sinjalizuar dikë se jemi gati për sherr serioz, burrat zakonisht priren në mënyrë të pavetëdijshme të fusin brenda barkun në prani të femrave si për të treguar se kanë fizik të rregullt, mund të lidhim gishtat duke mbajtur pëllëmbët larg njëra-tjetrës për të treguar besim te vetvetja, mund të lëvizim këmbët nga stresi kur përpiqemi të gënjejmë dikë, etj. Komunikimi joverbal përmes xhesteve dhe lëvizjeve të trupit është më i dukshëm në situata emocionale. P.sh. në një situatë flirti romantik, një person i dashuruar (ose edhe të dy) imiton lëvizjet e tjetrit në mënyrë të pavetëdijshme. Në të njëjtën situatë flirtimi femrat bëjnë lëvizje tipike si prekje e lehtë e flokëve të tyre, lëvizja e flokëve dhe ekspozimi i qafës, apo edhe prekja e “rastësishme” e mashkullit (p.sh. gjatë një momenti qeshjeje, apo për t’i fshirë nga xhaketa pluhurin imagjinar, etj).

D. Qëndrimi i trupit
Njerëzit e mbajnë trupin ndryshe në komunikime me njerëz të ndryshëm. Përballë personave autoritarë njerëzit priren të mbajnë trupin në nivel më të ulët se tjetri. Ndërsa në biseda me persona me status më të ulët, priren ta mbajnë trupin drejt dhe më lart se tjetri. Lëshimi i trupit mbrapa në një karrike apo kolltuk është zakonisht shenjë relaksi në një bisedë me miq, por mund të jetë edhe shenjë shpërfilljeje apo largimi në një komunikim me njerëz që nuk na pëlqejnë. Mbajtja e duarve në mes është zakonisht shenjë kërcënuese. Kryqëzimi i duarve dhe i këmbëve mbi njëra-tjetrën nënkupton dëshirën për t’u mbrojtur nga tjetri ose edhe refuzimin e tij. Përkundrazi në rast pëlqimi të tjetrit, sidomos te femrat, këmbët zakonisht orientohen në drejtimin e mashkullit.
Nëse gjendeni në një tavolinë ku edhe tjetri ka të njëjtin status dhe sidomos me miq, do të prireni të mbani të njëjtin qëndrim me ta. Madje, nëse njëri lëviz përpara ose tërhiqet mbrapa në ulëse, edhe tjetri e ndjek. Orientimi i trupit dhe përkulja e lehtë përpara është përgjithësisht shenjë interesi, por në disa raste mund të interpretohet edhe si shenjë agresiviteti.



E. Zëri
Intonacioni, ritmi dhe mprehtësia e zërit janë tregues të mirë të gjendjes emocionale të njeriut. Intonacioni mund të tregojë në mënyrë të ndërgjegjshme se ku qëndron kuptimi i fjalëve. Shikoni p.sh. fjalinë e mëposhtme duke parë sesi ndryshimi i theksimit të një fjale ndryshon gjithë kuptimin e fjalisë:

  1. Kjo është një poezi e mrekullueshme dashurie. (jo çdo poezi, por vetëm kjo)
  2. Kjo është një poezi e mrekullueshme dashurie. (Kjo poezi është superiore nga të tjerat për nga vlerat)
  3. Kjo është një poezi e mrekullueshme dashurie. (është një poezie e mrekullueshme për dashurinë, por mund të mos ketë vlera në aspekte te tjera).
  4. Kjo është një poezi e mrekullueshme dashurie. (është poezi dhe jo roman apo sonatë).
  5. Kjo është një poezi e mrekullueshme dashurie. (nuk ka pse të dyshohet se është e tillë).
Elementët e përdorimit të zërit ose siç quhen ndryshe paragjuha janë shumë të rëndësishëm. P.sh. ne pamë sesi një gënjeshtar mund të kuptohet nga fakti që zëri i tij është më i hollë se zakonisht kur gënjen. Studimet tregojnë se ne e kuptojmë gjendjen shpirtërore të një njeriu shumë më mirë nga paragjuha sesa nga gjuha verbale.

F. Prekja
Prekja është gjithashtu një element i rëndësishëm i komunikimit joverbal. Në një eksperiment njerëzve të zakonshëm iu kërkua të bënin diçka (p.sh. të dhuronin para për bamirësi apo të nënshkruanin një peticion). Njerëzit e prekur me dorë “rastësisht” gjatë kërkesës reaguan pozitivisht në 70% të rasteve, ndërsa ata që nuk u prekën reaguan pozitivisht vetëm në 40% të rasteve. Në këtë rast prekje përcjell një mesazh interesi dhe afërsie me komunikuesin. Kamarierët që prekin fizikisht klientët e tyre marrin më tepër bakshishe sesa të tjerët.
Prekja ka madje ndikim shumë të thellë sidomos te fëmijët. Sipas studimeve të fundit, fëmijët të cilët kanë kontakti fizik të vazhdueshëm me nënat e tyre gjatë fëmijërisë janë përgjithësisht më inteligjentë sesa fëmijët me pak kontakt fizik me nënat e tyre. Kjo vjen nga fakti se prekja u jep fëmijëve siguri dhe vetëbesim që janë dy faktorë të domosdoshëm për të mësuar.

Përveç elementëve të lartpërmendur ka edhe të tjerë që janë po aq të rëndësishëm. Të tillë janë p.sh. veshja, distanca e mbajtur me bashkëbiseduesin, mjedisi rrethues gjatë një komunikimi, etj.


5. Veçoritë e një individi tërheqës
Pavarësisht se qëllimi i kursit “Elementë të komunikimit” nuk është të prodhojë superstarët e ardhshëm, mund të përmendin shkurtimisht disa elementë të rëndësishëm që e bëjnë një person më tërheqës. Fillimisht duhet patur parasysh se njerëzit nuk janë tërheqës thjesht për shkak të disa veçorive fizike, por sidomos për shkak të aftësive që i kanë zhvilluar vetë. Komunikimi joverbal është një ndër më të rëndësishmet prej tyre:
  1. Kontakti me sy. Njerëzit që mbajnë kontakt të rregullt me sy vlerësohen si më tërheqës. Në një eksperiment disa vajza parakaluan përpara meshkujve. Disa prej tyre i shikuan meshkujt në dy, ndërsa disa të tjera jo. Në fund meshkujve iu kërkua të zgjedhin femrat më tërheqëse. Pa asnjë befasi, femrat që tërhoqën interesin më të madh te meshkujt ishin ato që kishin mbajtur kontakt me sy me ta.
  2. Shprehjet e fytyrës. Njerëzit tërheqës janë zakonisht të gjallë dhe tregojnë interes. Kjo është në rradhë të parë meritë e shprehjeve të fytyrës.
  3. Lëvizjet e kokës. Mund të përdorni rregullisht tundjen e kokës për të treguar interes të sinqertë për fjalët e bashkëbiseduesit. Kjo do ta bëjë atë t’ju shohë më pozitivisht dhe gjithashtu të zgjasë bisedën më tepër.
  4. Xhestet. Shmangni kryqëzimin e krahëve para gjoksit dhe nëse mundeni edhe kryqëzimin e këmbëve gjatë bisedave të para me një person. Përdorni xheste të gjalla gjatë bisedës, por pa e tepruar natyrisht.
  5. Qëndrimi i trupit. Nëse dëshironi të komunikoni një qëndrim të relaksuar informal tërhiqeni trupin pas duke e mbështetur në ulëse në mënyrë josimetrike. Nëse dëshironi të tregoni interes, sidomos në biseda me njerëz që sapo i keni njohur, drejtojeni trupin duke u përkulur drejt personit tjetër në një kënd të lehtë vertikal.
  6. Distanca dhe orientimi. Afrohuni me bashkëbiseduesin aq sa është e mundur pa e bërë të ndihet i bezdisur. Orientojeni trupin në kënd 0 gradë me të.
  7. Prekja. Prekni sa më shumë që të mundeni duke shfrytëzuar çdo pretekst, por duke patur shumë kujdes dhe duke respektuar normat.
  8. Aspektet joverbalë të të folurit. Flisni normalisht duke shmangur zërin e hollë. Mos pushtoni bisedën duke mos i lënë të tjerët të flasin. Mos flisni shpejt. Paradoksalisht, njerëzit i kanë qejf dëgjuesit e mirë, por njerëzit tërheqës flasin përgjithësisht më shumë. Prandaj përpiquni t’i barazpeshoni të dyja.






No comments:

Post a Comment

Post a Comment