GJUHA E TRUPIT DHE
KOMUNIKIMI JOVERBAL
Mund t’ju ketë ndodhur shpesh të bëni pyetje dhe të merrni
përgjigje që nuk ju bindin. Përse? Madje mund të keni patur përshtypjen se i
pyeturi nuk po thotë të vërtetën. Një nga arsyet kryesore është sepse përgjigjia
verbale (me fjalë) që merrni nuk përputhet me disa veçori të sjelljes së
personit që po pyesni. P.sh. nëse pyesni një fëmijë nëse ka marrë diçka pa leje
dhe ai përgjigjet menjëherë “jo”, ndërsa fsheh duart pas shpine, mund të jeni i
bindur se nuk po thotë të vërtetën. Në raste të tjera mund t’ju ketë ndodhur që
të kuptoni se një i panjohur ndihet i interesuar për ju (p.sh. në një kafe apo
restorant) pavarësisht se nuk keni shkëmbyer asnjë fjalë. Nga e merrni këtë
informacion? Pikërisht përmes komunikimit joverbal dhe gjuhës së trupit.
Ndryshe nga komunikimi verbal, komunikimi joverbal nuk ndërtohet përmes fjalëve.
Përkundër idesë së përgjithshme, studimet vërtetojnë se komunikimi joverbal është
shpesh shumë më i vlefshëm sesa ai verbal. Një nga arsyet kryesore lidhet me
faktin se komunikimi verbal lidhet me pjesën e vetëdijshme të mendjes së
njeriut, ndërsa komunikimi joverbal mund të shërbejë për të komunikuar qëndrimet
apo ndjenjat tona që dalin drejtpërdrejt nga pavetëdija. Kjo është arsyeja përse
të dashuruarit nganjëherë “kuptohen” më shumë me sy apo xheste sesa me fjalë.
Kjo është arsyeja përse ne kuptojmë kur dikush na ka frikë ose nuk na pëlqen,
pavarësisht se me fjalë mund të thotë të kundërtën. Në shumë raste, pikërisht
sepse i shpëton vetëdijes, gjuha jonë e trupit mund të na “tradhtojë” duke u dhënë
të tjerëve informacione që nuk do të donim t’ua jepnim. P.sh. në shumë stacione
policie në SHBA policët përdorin analizën e gjuhës së trupit për të gjykuar nëse
një i dyshuar thotë të vërtetën apo jo.
Mund ta fillojmë analizën tonë duke shikuar termin
“komunikim joverbal”. Ai nënkupton në rradhë të parë një komunikim që
zhvillohet pa fjalë ose mjete gjuhësore. Në vend të fjalëve, ky lloj komunikimi
përdor shprehjet e fytyrës, qëndrimin dhe xhestet, shikimin, mënyrën sesi e kontrollojmë
mjedisin tonë, mënyrën sesi vishemi, madje edhe elementë si tonin apo ritmin e
zërit.
- VEÇORITE E KOMUNIKIMIT
JOVERBAL
Për të kuptuar rolin e komunikimit joverbal mund të bëni
një eksperiment të thjeshtë. Shikoni një film apo emision debati duke ia ulur zërin
në minimum televizorit. Shumica prej nesh janë në gjendje të kuptojnë qëndrimet
emocionale dhe ndjenjat e folësve pavarësisht se nuk dëgjojmë asnjë fjalë.
Madje në raste të veçantë nëse njihni kontekstin e bisedës dhe personazhet mund
të kuptohet edhe ndonjë pjesë nga përmbajtja e saj.
Në fakt është e pamundur për një njeri të mos e përdorë
komunikimin joverbal.
Një skenarist i drejtohet producentit Sem Golduin:
“Z.Golduin, po ju tregoja një skenar të jashtëzakonshëm. Por ndërkohë që pres
mendimin tuaj vërej se ju ka zënë gjumi!” Golduini i përgjigjet: “Pse, a nuk ëshë
edhe gjumi një lloj mendimi?”
|
Ajo që është e veçantë te komunikimi joverbal është fakti
që ne u dërgojmë mesazhe të tjerëve edhe kundër vullnetit tonë. P.sh. ne
skuqemi apo djersisim në mënyrë të pavullnetshme. Madje në shumë raste këto
mesazhe janë në kundërshti të plotë me atë që themi me fjalë. Vetëm rreth një e
katërta e njerëzve janë në gjendje të identifikojnë elementët e gjuhës së
trupit që ata vetë përdorin në jetën e përditshme. Po aq i vogël është numri i
atyre që “kapin” dhe analizojnë mesazhet e komunikimit joverbal që “lëshojnë” të
tjerët. Por nëse aftësohemi për të njohur dhe përdorur gjuhën e trupit mund të
kuptojmë më mirë qëndrimin dhe ndjenjat e të tjerëve. Madje në disa raste mund
të qartësojmë edhe qëndrimin dhe ndjenjat tona ndaj të tjerëve.
Komunikimi joverbal e merr kuptimin e tij të plotë në kuadër
të ndërveprimit me njerëzit që na rrethojnë. Një funksion i rëndësishëm i tij është
menaxhimi i identitetit apo i imazhit tonë. Shpesh gjuha e trupit na e lehtëson
punën duke kryer misione që fjalët nuk mund të marrin përsipër. Përfytyroni,
p.sh. veten duke hyrë në një lokal të mbushur plot. Qëndrimi që merrni, lëvizjet
dhe shikimet tuaja përcjellin mesazhe të qarta tek të tjerët duke u përpjekur të
“shesin” imazhin tuaj. Përmes gjuhës së trupit ju mund të kuptoni madje cili
prej të pranishmëve është i interesuar apo i tërhequr prej jush. Mendoni sikur
në këtë proces, në vend të gjuhës së trupit të përdornit fjalët: “Mirëdita. Unë jam tip interesant, tërheqës
dhe kam ardhur për të gjetur vajzën më të bukur në mesin tuaj!” Sipas të
gjitha gjasave, fjalët nuk do të tregoheshin shumë efikase në këtë rast.
Komunikimi joverbal na mundëson gjithashtu të përkufizojmë
më qartë marrëdhëniet që duam të ndërtojmë me të tjerët. P.sh. ne përdorim përshëndetje
të ndryshme me persona të ndryshëm: me disa kufizohemi me një lëvizje koke,
disa të tjerëve u buzëqeshim, ndërsa disa mund edhe t’i përqafojmë apo puthim.
Sidoqoftë duhet patur parasysh se komunikimi joverbal është
shumë më i vlefshëm për të komunikuar ndjenjat apo qëndrimet tona sesa
informacione. Megjithatë, në disa raste gjuha e trupit mund të jetë dykuptimëshe.
Në fakt, ndryshe nga sa mund të kuptohet nga Fotoja 1,
çifti po qan nga gëzimi sepse ka fituar 1 milion dollarë në një llotari. Gjatë
interpretimit të gjuhës së trupit duhet t’i referohemi gjithmonë kontekstit të
ndërveprimit ose ngjarjes.
Disa njerëz janë më të aftë sesa të tjerët për të kuptuar
gjuhën e trupit. Në të vërtetë, ata që janë më të aftë për ta kuptuar këtë gjuhë,
janë dhe më të aftë për ta përdorur atë. Për këtë arsye ekstrovertët (personat
e hapur ndaj të tjerëve dhe që nuk fshehin vetveten) janë më të aftë se
introvertët (personat e mbyllur që fshehin vetveten) për të kuptuar dhe përdorur
gjuhën e trupit. Gjithashtu femrat janë përgjithësisht më të afta sesa meshkujt
në fushën e komunikimit joverbal. Kjo vjen sepse, siç e kemi përmendur më herët,
femrat janë më të ndjeshme ndaj ndjenjave të të tjerëve sesa meshkujt dhe
komunikimi joverbal zbulon në rradhë të parë ndjenjat dhe qëndrimet e të tjerëve.
Komunikimi joverbal mund të përmirësohet përmes trajnimeve
ose qoftë edhe përmes leximeve dhe ushtrimit autodidakt. Aftësitë e komunikimit
joverbal janë shumë të rëndësishme. Në përgjithësi, komunikuesit e mirë
joverbalë janë më tërheqës dhe më të suksesshëm sesa komunikuesit mesatarë qoftë
në karrierë, qoftë në situata romantike.
Në tabelën e mëposhtme mund të shikoni disa dallime mes
gjuhës verbale dhe gjuhës së trupit:
Tabela 1.
Dallimet kryesore mes komunikimit verbal dhe joverbal:
|
||
Kompeksiteti
|
Një përmasë (vetëm fjalë)
|
Shumë përmasa (kontakti me sy, qëndrimi, xhestet, zëri,
distanca, etj).
|
Rredhja
|
I ndarë (fjalë pastaj qetësi, pastaj fjalë)
|
I vazhdueshëm (komunikimi joverbal nuk ndërpritet kurrë
deri në momentin e ndarjes me personin tjetër)
|
Qartësia
|
Më e vështirë të keqinterpretohet
|
Më i lehtë për tu keqkuptuar (nganjëherë i dykuptimtë)
|
Impakti
|
Ka më pak impakt kur fjalët dhe gjuha e trupit kundërshtojnë
njëra-tjetrën.
|
Ka më shumë impakt kur fjalët dhe gjuha e trupit kundërshtojnë
njëra-tjetrën.
|
Qëllimshmëria
|
Zakonisht i qëllimshëm dhe i vetëdijshëm.
|
Shpesh i pavetëdijshëm.
|
- FAKTORET QE NDIKOJNE NE
KOMUNIKIMIN JOVERBAL
Ekzistojnë disa elementë universalë të gjuhës së trupit.
Studiuesi Paul Ekman ka identifikuar 6 shprehje themelore të fytyrës që janë
pak a shumë të njëjta në të gjithë planetin: lumturi, trishtim, frikë, zemërim,
neveri dhe befasi. Është vënë re madje se edhe fëmijë që kanë lindur të verbër
përdorin shprehje të tilla të fytyrës.
Megjithatë shumë elementë të gjuhës së trupit ndryshojnë në
varësi të faktorëve të ndryshëm. Më poshtë do të trajtojmë dy prej këtyre
faktorëve kryesorë: kulturën dhe gjininë.
A. Kultura
Një nga kryebashkiakët më të famshëm të Nju Jorkut,
Fiorello LaGuardia, fliste rrjedhshëm tri gjuhë të ndryshme: anglisht, italisht
dhe jidish (një dialekt kryesor i gjuhës hebreje i ndikuar nga elementë gjuhësorë
evropianë). Studiuesit vunë re se mund të kuptonin se në çfarë gjuhe po fliste
LaGurdia pa e dëgjuar duke folur, por thjesht përmes analizës së gjuhës së
trupit. Kjo vjen sepse çdo gjuhë verbale zakonisht është e lidhur me gjuhën
joverbale të kulturës specifike.
Dallimet kulturore mund të shkaktojnë keqkuptime. Në SHBA
shenja që bëhet me gishtin e madh lart dhe grushtin e mbledhur nënkupton “OK”,
ndërsa e njëjta shenjë në Greqi dhe Turqi nënkupton një fyerje me natyrë
seksuale, ndërkohë që në disa krahina të Francës dhe Belgjikës frankofone nënkupton
“Ti je zero”.
E njëjta gjë mund të thuhet për distancën gjatë
komunikimit. Një anglo-sakson zakonisht bisedon në një distancë të caktuar e
cila për një aziatik është shumë e madhe, meqë këta të fundit janë mësuar të
komunikojnë në distanca shumë të afërta. Por nëse për njërin një distancë mund
të jetë e pranueshme, për tjetrin mund të përjetohet si bezdi apo agresion.
Një tjetër shembull është ai i kontaktit me sy. Në vendet
perëndimore, kontakti me sy vlerësohet dhe është një element i rëndësishëm i
komunikimi joverbal që dëshmon vëmendje dhe respekt, ndërsa në disa vende
aziatike, apo në Amerikën Latine dhe madje edhe në disa zona të Evropës Veriore
shikimi në sy konsiderohet si i papërshtatshëm dhe nganjëherë si mungesë
respekti apo si kërcënim.
Vetë kufinjtë e komunikimit joverbal janë të ndryshëm në
vende të ndryshme. Në vendet arabe komunikimi joverbal inkurajohet dhe plotëson
fuqimisht bisedat verbale, ndërsa në vende si Japonia, ku shprehja e ndjenjave
dhe emocioneve nuk konsiderohet e përshtatshme, komunikimi joverbal kufizohet në
minimumin e mundshëm.
B. Gjinia
Disa nga dallimet midis femrave dhe meshkujve në
komunikimin joverbal janë fiziologjike dhe të dukshme. P.sh. zëri i femrave
ndryshon në vëllim dhe regjistër nga ai i meshkujve. Disa dallime të tjera janë
psikologjike ose shoqërore. P.sh. femrat janë më të afta se meshkujt për të
kuptuar dhe përdorur gjuhën e trupit. Disa studiues mendojnë se dallimet shoqërore
mes femrave e meshkujve janë pasojë e marrëdhënieve të pushtetit në një shoqëri.
Thënë ndryshe, femrat kanë zhvilluar aftësi më të larta komunikuese, sepse
pozicioni i tyre përgjithësisht i nënshtruar ndaj meshkujve bën të nevojshëm
mbrojtjen përmes komunikimit (p.sh. dallimin e ndjenjave negative ndaj tyre). Kjo
do të thotë se paralelisht me pavarësimin dhe emancipimin, femrat mund të zvogëlojnë
aftësitë e tyre në komunikimin joverbal. Ndoshta një tjetër faktor mund të jetë
pozicioni shoqëror që u njeh femrave zakonisht rolin e përzgjedhëseve mes
kandidatura mashkullore për një lidhje të mundshme.
Femrat përgjithësisht përdorin kontaktin me sy më tepër
sesa meshkujt, kanë ton zëri më të ndryshueshëm gjatë bisedës dhe ndërveprojnë
në distanca më të vogla sesa meshkujt (qoftë me meshkuj, qoftë me femra të
tjera). Burrat zakonisht e mbajnë trupin të përkulur lehtë përpara më shpesh
sesa femrat. Ata synojnë zotërimin e hapësirës së përbashkët dhe e arrijnë këtë
më lehtë. Femrat priren të qëndrojnë përballë bashkëbiseduesit, ndërsa meshkujt
priren të ruajnë një lloj këndi orientimi të trupit ndaj personit tjetër. Femrat
përdorin më tepër shprehje të fytyrës dhe xheste në përgjithësi, por meshkujt përdorin
më tepër xheste që synojnë “zotërimin” e hapësirës dhe bisedës.
No comments:
Post a Comment